Loading...

Mot i nxehtë, rekomandimet e ekspertëve të ISHP-së për të shmangur sëmundjet

Vala e të nxehtit që ka mbërthyer vendin prej ditësh të tëra ka shtuar fluksin e pacientëve që u janë drejtuar urgjencave spitalore me komplikacione.

Të sëmurët kronikë, moshat e treta, si dhe fëmijët e vegjël rezultojnë të jenë ndër grupet që kanë pasur më shumë nevojë për ndërhyrjen e bluzave të bardha për shkak të ndërlikimeve të shkaktuara nga vapa në shëndetin e tyre.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë përgatitur udhëzuesin me këshillat që duhet të ndjekin veçanërisht kategoritë më të rrezikuara për të shmangur ndërlikimet e rënda në shëndet.

Specialistët e ISHP-së rekomandojnë të konsumoni sa më shumë ujë, të shmangni konsumimin e alkoolit dhe pijeve me kafeinë, të visheni në përshtatje me motin, ngadalësoni lëvizjet, të mbani freskët shtëpinë tuaj si dhe të shmangni qëndrimin në hapësirat e mbyllura.

Sipas specialistëve, efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt.

Këto efekte do të varen nga koha e ekspozimit ndaj diellit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit. Gjithashtu, këto efekte do të varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com