“Rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave është njohje e rezultateve të prekshme të reformës gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë dhe të arritjeve të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi sot përfaqësuesja e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, nënkryetare e Komisionit Europian, Federica Mogherini në një takim në Bruksel me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Përfaqësuesja e Lartë Mogherini përgëzoi ministrin Cakaj për përsëritjen e rekomandimit të qartë të Komisionit, duke theksuar se ky është një vlerësim i merituar dhe rezultat i reformave gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga vendi ynë, duke veçuar arritjet e prekshme në Reformën e Drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se Shqipëria është e gatshme dhe ka bërë të gjitha detyrat e kërkuara për të hapur negociatat me BE dhe është e nevojshme që Këshilli Europian të reagojë pozitivisht, në linjë me rekomandimin e Komisionit.
Ndërsa Cakaj u shpreh se, “ishte kënaqësi e madhe për të takuar Federica Mogherinin dhe shkëmbyer pikëpamjet mbi rëndësinë e hapjes së negociatave për tani. Ne presim që t’i respektojmë premtimet e saj dhe kështu të sigurojmë një shtysë të re për reformën dhe progresin në rajonin dhe rajonin”./atsh