Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dhënë sot një mesazh urimi për besimtarët myslimanë shqiptarë.
Në përfundim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Meta ka uruar besimtarët myslimanë, duke apeluar gjithashtu për përqafimin e vlerave hyjnore, sociale dhe kombëtare.
“Me mbylljen e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Muajit të sakrificës, përkushtimit ndaj së mirës dhe paqes shpirtërore, u bashkohem lutjeve Tuaja për agjërim të pranuar dhe ju shpreh në këtë prag feste të madhe, urime të ngrohta, të sinqerta dhe të përzemërta: Gëzuar Bajramin e Madh! Nesër, në këtë Ditë të Shenjtë, kur besimtarët myslimanë ndajnë me njëri-tjetrin, vlerat dhe virtytet më të mira të besimit Islam si dhe në traditën më të mirë shqiptare, respektin e përkushtimin ndaj familjes, mirëkuptimin dhe pranimin e tjetrit, solidaritetin dhe harmoninë ndërfetare, dhembshurinë dhe përkujdesjen ndaj njerëzve në nevojë, le të përcjellim mesazhin se është koha të udhëhiqemi në vendimet tona me ndërgjegje të pastër, përgjegjësi qytetare, besim në Zot dhe me një dashuri të sinqertë për të mirën e përbashkët. Arroganca, korrupsioni, demagogjia, veset, lakmia, dhuna e çdo shfaqje negative që helmon paqen, drejtësinë, barazinë e kohezionin social dhe pamundëson jetën e një shteti demokratik, duhen izoluar. Të përqafojmë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, si dhe kombëtare, për të gjetur rrugën e duhur dhe tejkaluar çdo sfidë, pavarësisht sakrificave shpeshherë të dhimbshme, me dialog, mirëkuptim e bashkëpunim, për një shoqëri më të drejtë dhe një Shqipëri më njerëzore. Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ndodheni: Zoti ju dhëntë shëndet, mbarësi, begati e paqe në familjet Tuaja dhe në Shqipërinë tonë të përbashkët!” – shprehet Meta./atsh