Në një intervistë të dhënë për Al Jazeera, Presidenti Ilir Meta, shprehet se në 30 qershor, nuk do të ketë zgjedhje.
“Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, tha ai.
I pyetur nëse ka shkelur Kushtetutën dhe për mocionin e Largimit nga zyra, të votuar në Parlament, Kreu i Shtetit u shpreh se “unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht”.
“Duhet t’jua bëj me dije se nuk është kryer asnjë shkelje e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës dhe dua gjithashtu t’ju siguroj gjithashtu se rendi kushtetues i Shqipërisë është i bazuar mbi pluralizmin politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe ajo që ka bërë Presidenti ekzaktësisht është që të tregojë përkushtimin e tij për të mbrojtur pluralizmin politik në vend, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, sepse Shqipëria ka pasur për 45 vjet votime gjatë regjimit komunist, por të gjithë e dinë se ka një ndryshim të madh mes zgjedhjeve dhe votimeve”, tha ai.
“ Por që nga momenti që u zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikë, tha Meta, unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve”.
Presidenti shprehet se vendimi për anulimin e zgjedhjeve “i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Jam shumë i vendosur për të bërë më të mirën për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe për një zgjidhje të besueshme, sepse kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit dhe për bashkëjetesën demokratike të qytetarëve tanë, por kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike. Gjithashtu, pas 4-5 muajve të mbushur me konfrontime dhe tensione, që ju i keni raportuar si e gjithë media botërore, zgjidhja nuk mund të gjendet brenda 2-3 ditëve”, tha ai.
Lidhur me deklaratën e Presidentit të KE, Juncker i cili është shprehur pro zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor, Meta tha se “jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë”.
I pyetur nëse do të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, Meta tha se “unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar atë”
I pyetur nëse kryeministri Rama gëzon mbështetjen dhe besimin e Presidentit si kreu i Qeverisë, Meta tha se “kjo është një pyetje të cilës i jam përgjigjur më parë, kur e kam dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë. Prisja që ai me kalimin e kohës në atë detyrë të ishte me fleksibël dhe bashkëpunues me opozitën, sepse para së gjithash, sfidat me të cilat përballet vendi mund të adresohen me sukses vetëm duke u bazuar në bashkëpunim më të gjerë. Dhe pres që ai ta lërë pas këtë retorikë përçarëse që e përdor aq shumë dhe që nuk po ndihmon mundësinë e një konsensus më të gjerë, por edhe politikat më gjithëpërfshirëse që vendi të jetë më i bashkuar”. /atsh