Pas provimit të parë të maturës shtetërore, atij të gjuhës së huaj të kryer më 7 qershor, mbi 36 mijë maturantë në Shqipëri do t’i nënshtrohen sot provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Testimi do të nisë në orën 10 dhe do të zgjasë dy orë e gjysmë. Maturantët duhet të paraqiten në gjimnazet përkatëse që në orën 8 sepse do të nisë leximi i emrave një për një si dhe kontrollohen me dedektorë në mënyrë që nxënësit që mos të kenë pajisje elektronike pasi në të kundërt do të ketë penalitete. Ata duhet të kenë me vete një mjet identifikimi.
Në fakt këtë vit ka ndryshime. Për herë të parë kurrikula çon drejt dy lëndëve jo një lënde të përbashkët siç ka qenë deri në 2018, ku gjuha dhe letërsia ishin bashkë, kështu që do operohet me dy pjesë brenda një testi. Pra, teknikisht testi ka ndryshuar.
Ndërkaq, maturantët janë njohur që në fillim të vitit me programin orientues me 15 vepra dhe 14 autorë. Testi do të përmbajë 34 pyetje, nga të cilat 20 do të jenë me alternativa. Kryesisht pyetjet me alternativa do të fokusohen te njohuritë gjuhësore, më pas do të ketë dy tekste letrare ku do të mbështeten pyetjet me zhvillim dhe në fund pjesa kreative eseja.
Veç testit, maturantët duhet të plotësojnë edhe një fletë tjetër ku do të mbushin me përgjigjet e sakta të pyetjeve me alternativa rrethet përkatëse, për të mundësuar për herë të parë korrigjimin digjital. Pikët në test janë shtuar gjithashtu, nga 50 vitin e shkuar, këtë maturë do të jenë 60./atsh