Kryeministri Edi Rama tha pasditen e sotme nga Shkodra se ashtu sikundër 2 vjet më parë kur opozita nuk dëshironte të hynte në zgjedhje, lepuri fle në frikën e tyre nga Reforma në Drejtësi.
“Nëse ne do ishim, apo unë do isha njeriu që ata përpiqen të pikturojnë si njeriu që do gjithë pushtetet, e kisha mundësinë të hynim në zgjedhje pa ata, se dy vjet më parë u përsërit e njëjta histori.
Ikën nga parlamenti se nuk donin të votonin Vetingun dhe nisën të njëjtin avaz. Dhe e mbani mend sesa shumë i jam lutur Lulzim Bashës për t’u marrë edhe, madje edhe kur SHBA dhe BE u dorëzuan dhe thanë vazhdoni zgjedhjet se janë legjitime edhe të vetëm. Unë si Romeo poshtë ballkonit të Xhuljetës i lutesha Bashës. Sot do kishim 140 deputetë në parlament”, – theksoi Rama.
“Nuk u nisa nga interesi i ngushtë, as duke parë një hap më tutje por tre hapa më tutje dhe mendova se ishte koha për të sprovuar historinë e dhimbshme e të ngatërruar të konflikteve për marrëveshje për Shqipërinë, duke i ofruar PD-së dhe kryetarit të saj gjithçka që ai kërkoi, gjysmën e qeverisë me më shumë peshë. Basha kur i mori të gjitha më tha, çfarë do. Voto vetingun, kush fiton, fiton, kush humbet, humbet. I pari qeveris, i dyti është në opozitë dhe nuk ka më të shahet Shqipëria në gjuhë të huaj”, – tha Rama.
“Mbaruan zgjedhjet, asnjë fjalë. U kthye nga pushimet filloi avazi dhe sot dy vjet më pas është më keq se dy vjet më parë. Avazi është me keq se dy vjet më parë dhe përsëri lepuri fle në barkun e frikës nga Drejtësia. Që në sekondën e parë kur ne, dhe unë personalisht e kemi mbështetur fillimin e Reformës në Drejtësi kanë qenë kundër, kanë bërë çmos për ta penguar, derisa erdhi te votimi më surreal në sallën e Kuvendit sikur ishin në pushkatim, aq me zor e votuan Reformën në Drejtësi”, – tha Rama. /atsh