“Zonat rurale të bashkisë, do të jenë prioritet për investimet, gjatë mandatit të ardhshëm”, – është shprehur kandidati i Partisë Socialiste për kryetar të bashkisë së Vlorës, për zgjedhjet e 30 qershorit, kreu aktual i kësaj njësie vendore, Dritan Leli, gjatë takimeve që ka zhvilluar me komunitetin e këtyre zonave në ditët dhe javët e kësaj fushate.
Në këto takime, ai ka shpalosur projektin e vet për mandatin vijues, që pason një 4-vjeçar sfidues në krye të një bashkie ndër më të mëdhatë në vend.
Leli reflekton modesti në takimet me komunitetin. Kjo i jep vlerë dhe e përvijon më shumë staturën e tij në prezantimin e projektit të vet për Vlorën e dekadave që vijnë.
Vlora e sotme, është tërësisht e ndryshme nga ajo e 4 viteve më parë. E nesërmja, do të jetë edhe më intriguese.
“Do ta bëjmë Vlorën ku, turistët e vizitorët që vijnë, të kthehen sërish vitin tjetër dhe në vazhdim”. Ky premtim, ishte një nga nga shtyllat e programit të kryebashkiakut vlonjat, në zgjedhjet e kaluara, i materializuar tashmë në treguesit në rritje në sektorin e turizmit në këto vite.
Në konceptin e tij, turizmi i qëndrueshëm përbën edhe çelësin e zhvillimit të Vlorës, e cila funksionon si një bashki me territor shumë më të gjerë dhe me resurse më të shumta dhe shumëdimensionale, krahasuar me më parë. Kjo, do të thotë se, orientimi dhe profili i Vlorës duhet të kenë si pikësynim turizmin, të gjitha shërbimet që lidhen me të, që nisin dhe përfshijnë hallkat e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, kapacitetet njerëzore, rrjetin e tregtisë dhe të shërbimeve.
Por, një turizëm i shtrirë në kohë, një turizëm gjithëvjetor dhe jo i limituar në 3 apo 4 muaj dhe i lidhur vetëm me sezonin e verës, do të thotë që, Vlora të shndërrohet në një kompleks që të gjenerojë mundësi për qytetarët, për ata që vijnë dhe më gjerë, për të gjithë vendin. Prandaj dhe kërkohet vazhdimësia, për të çuar përpara projektin e iniciuar gjatë mandatit të kaluar. Në një raport funksional me qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama, Leli dhe stafi i drejtuar prej tij, tërhoqën dhe implementuan dhjetëra projekte me fonde qendrore, me fonde të donatorëve të huaj, apo me burime të vetë bashkisë.
“Lungomare”, me infrastrukturën shoqëruese përgjatë saj, bulevardi Vlorë-Skelë, i rikonceptuar, disa segmente rrugore të rikonstruktuara përgjatë bregdetit, apo rehabilitimi i mjediseve brenda blloqeve të banimit, sistemimi i ujërave të zeza, ujësjellësi etj, përbëjnë vetëm disa nga këto projekte, që kanë patur një impakt të fortë në transformimin e Vlorës.
Mijëra turistë që vijnë çdo vit në qytet dhe përgjatë bregdetit të tij, në një sezon veror të zgjatur në kohë, përbëjnë dëshminë më konkrete se gjërat kanë ecur në kahjen e duhur.
Tashmë, ato duhet të zhvillohen më tej. Vlora dhe perspektiva duhet të ridimensionohen. Qyteti ka plot mundësi të tjera, që duhet të përfshihen në një vizion të ri, në atë që, Leli e cilëson, “Vlora me disa pole të zhvillimit të turizmit”.
Orikumi, Zvërneci, Narta, bregdeti i Novoselës, janë resurse që kanë nevojë të bëhen funksionale, të gjenerojnë mundësi sipas një strategjie të re.
Por, për këtë nevojiten investime në infrastrukturë, në ujësjellësa, në rikonceptim të vlerave të traditës. Në këtë drejtim, bregdeti dhe zonat më të thella duhet të vihen në një raport të ndërsjelltë ku, respektivisht, të dyja t’i shërbejnë dhe njëkohësisht të përfitojnë prej njëra tjetrës.
Projektet me vlerë rreth 45 milonë euro për ujësjellësat e zonave rurale të njësive administrative Shushicë e Qendër, projektet e rivitalizimit të qendrave të një sërë fshatrash në Dukat, Tragjas, Novoselë, Shushicë e Nartë, ndërtimi i rrugëve lidhëse me to, etj, përbëjnë një kapitull shumë të rëndësishëm investimesh, një sfidë tjetër e fortë për kryebashkiakun Leli, në një mandat të dytë në krye të bashkisë së Vlorës.
Sipas tij, realizimi i këtyre investimeve, që u bashkohen projekteve të përfunduara në 4-vjeçarin e parë, garantojnë kompaktësinë territoriale ekonomike të Bashkisë së Vlorë, në procesin e vijimit të transformimit rrënjësor të saj.
Ndërkohë, vijimi i investimeve në qytet, duke përfshirë edhe segmentet e tjera të shëtitores buzë detit, rehabilitimi dhe sistemimi i blloqeve të banimit, etj, e bëjnë edhe më të dukshëm projektin e Vlorës së të ardhmes.
Me përvojën e 4 viteve të tij në krye të bashkisë, kandidati Leli, është tërësisht i qartë në realizimin e ambicieve të tij për vijimin e punës edhe pas 30 qershorit.
Me vizionin e vet, ai ka treguar se di të bëjë pjesë të ndryshimit të gjitha resurset, duke përfshirë edhe ato që shtrihen në objektet e trashëgimisë historike e kulturore, në pasurinë shpirtërore të komunitetit të të gjitha trevave, institucionet promovuese dhe dokumentare të kësaj fushe, të gjitha ato mundësi që zgjojnë interesin dhe kërshërinë e qytetarëve të huaj dhe atyre nga rrethe të tjera të vendit.
Vlora është epiqendra e isopolifonisë, e kësaj pasurie të trashëgimisë botërore e vlerësuar si e tillë dhe e marrë nën kujdesin e UNESCO-s. Vlora ka dhjetëra monumente kulturore, historike e natyrore, disa prej të cilave janë unikale në llojin dhe profilin e tyre. Vlora ka një kështjellë me një histori të pasur, siç është ajo e Kaninës, ka një objekt të rrallë siç është Manastiri i Zvërnecit, ka qytezën antike të Orikumit, ende e pazbuluar plotësisht dhe e pashfrytëzuar, ka Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Etnografik dhe atë historik ku “flenë” vlera të jashtëzakonshme, ka dhjetëra monumente natyrore nga Novosela, në Karaburun e Llogora.
Vlora ka një bregdet të mrekullueshëm e të thyer ranor e shkëmbor, hapësira pyjore pa fund, kapacitete bujqësore e blegtorale, ka një rrjet hotelerik, tregtar e shërbimesh, restorantesh, të nivelit më të përparuar bashkëkohor, që është pasuruar më tej gjatë këtyre viteve, ka tre universitete publike e private, që mund të shfrytëzohen për kapacitetet e tyre akademike.
Por, mbi të gjitha ka kapacitetet njerëzore, të rinj e të reja, specialistë me përvojë, që kanë dëshirë dhe mundësi për t’u ingranuar në sistemin e vënies në funksion të vlerave që ka Vlora.
Të gjitha këto përbëjnë mundësi, përbëjnë optimizëm se, gjithçka do të vijojë të konsolidohet në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe me impakt për masën e gjerë të qytetarëve, kudo ata banojnë, në Vlorë apo në rrethina, në qendrën urbane, apo zonat rurale.
Pavarësisht se ku jetojnë, ata do të ingranohen njëlloj në zhvillimin ekonomik të bashkisë së tyre. Pavarësisht se cili do të jetë aktiviteti i tyre i përditshëm, të gjithë qytetarët e Vlorës do të jenë njëlloj përfitues. Përfitues të të mirave materiale, të investimeve, të të ardhurave që do të krijohen nga një ekonomi që do të jetë dhe orientohet tërësisht, në funksion të turizmit.
Sepse, fermerët e Novoselës, Llakatundit, Dukatit, Shashicës, prodhimet e tyre do t’i çojnë në një treg të unifikuar, modern dhe në përshtatje me standardet më të mira të kohës, ndërkohë që ky i fundit, do të jetë çelësi për të vijuar me pjesën tjetër të sistemit të tregtimit dhe konsumit, deri tek qytetari i qendrës urbane, tek restoranti, tek operatori turistik, tek vetë turistët.
Por, për të bërë këtë gjë, do të duhet infrastrukturë rrugore e përmirësuar dhe e unifikuar sipas nevojave e kërkesave të kohës, në të gjithë territorin e bashkisë duke përfshirë edhe zonat rurale, do të duhet vijimi i mbështetjes për bujqësinë, me investime dhe skema subvecionesh, do të duhet ndërtimi i një mekanizmi efikas që të funksionojë në çdo hallkë të tij.
Por, gjithashtu, për këtë duhet dëshirë e vullnet, duhet guxim, duhet iniciativë, duhet përkushtim, ndershmëri, por akoma edhe më tepër, duhet vizion. Vizioni i një njeriu që të di se çfarë të synojë dhe si duhet të plotësojë këtë pikësynim, të jetë i aftë të projektojë një sistem të plotësuar që të ketë në bazë të gjithë elementët përbërës të tij. Prodhimi, shërbimet, trashëgimia shpirtërore e historike, kapacitetet natyrore e ato njerëzore, të jenë në funksion të njëra tjetrës.
Të gjitha këto kanë qenë pjesë e fushatës së Dritan Lelit, gjatë këtyre javëve, ku ai ka argumentuar se i disponon këto vlera, të cilat i ka manifestuar dhe shpalosur gjatë 4 viteve në krye të Bashkisë dhe që janë pjesë e projektit të tij për Vlorën e dekadave në vijim, për një Vlorë ku të gjithë të ndihen pjesë e hapësirës së përbashkët, ku, ata që vijnë të përjetojnë ndjesinë e kthimit. /atsh