Loading...

Koçi: Opozita dhe lideri i saj po frymëzojnë dhunën në vend

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi u shpreh se Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit edhe pse opozita ka vendosur që të mos bëhet pjesë e tyre.

“E para ne shkojmë në zgjedhjen e 30 qershorit, duke respektuar totalisht vendimin e Partisë Demokratike. Nuk është faji dhe as përgjegjësia e mazhorancës që në këto zgjedhje nuk marrin pjesë kandidatët e Partisë Demokratike qofshin këta për Kryetar Bashkie, qofshin këta për anëtarë të këshillave bashkiakë. Partia Demokratike është në një situatë nervoziteti sepse ka ndërmarrë disa hapa që është e pamundur të dalë. Tashmë afati i fundit për të kapërcyer këtë lloj situate ishte deri pardje, ku mund te ndërhyhej në Kod me ndonjë marrëveshje, tani është shumë e vështirë”, – theksoi ai.

Koçi diskutoi edhe për incidentin e ndodhur ditën e djeshme në protestën e opozitës, ku babai së bashku me djalin janë goditur me mjete të forta, duke përgënjeshtruar versionin e dhënë nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Lidhur me incidentin që ka ndodhur, unë mund të them se opozita ka viktimizuar vetveten në të dyja incidentet, të cilat u përdorën edhe për t’u manipuluar nga zoti Berisha. Pra kjo parti manipulon qoftë zgjedhjet, imazhet, qoftë edhe faktet. Edhe sikur të mos kishte ndodhur, të ishte bërë ajo video me ata të dy të plagosur nga dhuna brenda protestës, me siguri do të vlonte opozita duke kërcënuar me fakte në thonjëza mazhorancën si të inkriminuar në krime politike. Ne tashmë e kemi të vërtetuar që pala e cila merret me këto manipulime është opozita. Përsa i përket asaj që ka ndodhur te spitali, aty duket qartazi se është ish-deputeti që ndërhynë në mënyrë jo civile, me dhunë verbale ndaj ministrit Leshaj. Nuk është në detyrën e tij t’i tregojë Ministrit se ku duhet të shkojë tek policët, apo tek protestuesit”, – vijoi ai.

Koçi gjithashtu theksoi se opozita dhe kryetari i saj po frymëzojnë dhunën në vend./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com