Lorenc Bajrami nga qyteti i Përmetit u punësua si psikolog në Këlcyrë, pas kërkesës në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me rastin e Lorencit, i cili pati pengesa për t’u punësuar në profesionin e tij.
“Mirëmëngjes dhe me mesazhin që ka Lorenci nga Përmeti për të gjithë që hasin një pengesë në zyrat e shtetit, ju uroj një të dielë të bukur”, thekson Rama.
“Unë kam mbaruar studimet 5 vjeçare, 3 vite Bachelor për Psikologji të përgjithshme dhe masterin për Psikologji Klinike. Punoja në disa punë të tjera të ndryshme me projekte nga BE dhe isha angazhuar në universitet. Për shkak se kisha disa probleme dhe duhet të kthehesha në qytetin tim për një kohë, aplikova në disa vende.Përmeti nuk është se të ofron mundësira punësimi të paktën në profesionin tim si psikolog”, shprehet Lorenci.
I vetmi institucion, shton ai, ku unë mund të punësohesha ishte arsimi megjithëse unë besoja dhe kisha shpresën që të mund të punësohesha dhe iu drejtova platformës me besimin që do të më ndihmonte.
Më pas, ai i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes ku shkruan “Jam Lorenc Bajrami nga qyteti i Përmetit. Nëpërmjet këtij mesazhi dua të shpreh shqetësimin lidhur me punësimin tim. Unë kam mbaruar shkollën e lartë Bachelor dhe Master për Psikologji Klinike me mesatare të lartë. Që kur kam përfunduar studimet nuk jam punësuar, ndërkohë që ka psikologë të pakualifikuar të cilët janë punësuar jo sipas ligjit aktual te psikologut lutem te vendoset drejtësia në vend dhe të shqyrtohet rasti”.
“Pas 10 ditësh problemi im u zgjidh dhe fillova punë në qytetin e Këlcyrës dhe ishte diçka pozitive falë platformës mu dha mundësia të filloj punë si psikolog në Këlcyrë”, thekson Lorenci.
Ai i bën thirrje të gjithëve që ti shkruajnë platformës, por edhe të jenë të aftë të kenë diçka që ti prezantohen platformës.
“Platforma nuk është magjistari që duhet të ndihmojë. Dërgo dokumentet me aftësitë e tua, pa pasur asgjë platforma nuk të ndihmon”, tha Lorenci./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/335307963831841/?t=0