Drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri, deklaroi sot se vota e 30 qershorit është votë për stabilitetin e vendit.
Duke folur nga Himara, ku u zhvillua takimi elektoral për të prezantuar kandidatin e PS, Jorgo Goro në këtë bashki, Gjiknuri u shpreh se, “e kemi parë vetë se ç’ka bërë qeveria e PS për këtë zonë dhe jemi dëshmitarë të ndryshimit”.
“Kjo zonë këto vite është transofrmuar tërësisht. Ka parë një transformim rrënjësor, duke e transformuar bregdetin e Jonit dhe duke e kthyer atë në një atraksion turistik mjaft të kërkuar”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri u shpreh se, “dëshira jonë ishte që të kishim një garë që himarjotët të zgjidhnin mes kandidatëve tonë dhe atyre të opozitës. Por qorrsokaku dhe paaftësia e kësaj force për të nxjerrë një kandidat serioz në Himarë bëri që të jemi vetëm. Prandaj vota në 30 qershor është votë për zhvillimin dhe për stabilitetin”.
Gjiknuri theksoi se, “priten investime të tjera shumë serioze në Himarë. Pritet rruga e lumit të Vlorës. Rruga Qeparo- Ura e Laskos do ta bëjë këtë bashki që të lidhet edhe me pjesën tjetër. Shumë shpejt fillon dhe projekti me kooperacionin italian. Është investimi i rëndësishëm për rrjetin energjitik”, .
Së fundmi, shtoi Gjiknuri, “i ftojmë të gjithë të rinjtë dhe të rejat të bëhen pjesë e bashkisë, të bëhen pjesë e ideve të reja”.
“Në 30 qershor me votën pro stabiliteit, pro qeverisë do të bëjmë të mundur rikthimin e të rinjve dhe të rejave dhe zhvillimin e Himarës”, tha Gjiknuri. /atsh