Qëndrimi deri vonë përpara televizorit apo drita që lini ndezur për t’u ndjerë më të sigurt gjatë gjumit mund t’iu shëndoshë.
Një studim i ri tregon se fjetja me dritën ndezur lidhet me rrezikun gjithnjë e në rritje për fitimin e peshës së padëshiruar dhe obezitetit. Kërkim i publikuar në revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, që analizoi rreth 44 mijë gra në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se ato që flinin me televizorin apo me një dritë ndezur në dhomë, fituan 5 kilogramë në peshë ose më shumë.
Gjithashtu patën një rritje në masën e trupit me 10% në një periudhë 5-vjeçare, si dhe iu shtuan shanset me 22% për të kaluar mbipeshë. Studimi zbuloi se për shkak të këtyre rrethanave, u rritën shanset me 33% për të kaluar në obezitet.
Zyrtarët e shëndetit amerikan rekomanduan që televizori dhe pajisjet e tjera elektronike të largohen nga dhoma e gjumit në mënyrë që të krijohet një mjedis i shëndetshëm për fjetjen. Për shkak të dritës artificiale gjatë natës, ora trupore mund të fiket. Kjo mund të dëmtojë metabolizmin duke shkaktuar shtim në peshë. /atsh