Loading...

Finalizohet operacioni “Farmacia”

Policia e Korçës ka arrestuar tre persona, ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dy doganierë të Doganës së Kapshticës, për shpërdorim detyre, si dhe ka sekuestruar një sasi medikametesh të dyshuara se kanë hyrë kontrabandë në vendin tonë.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se, “specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtoritë Vendore të Policive Korçë dhe Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin antikontrabandë të koduar “Farmacia”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i tre shtetasve: Y.C, 47 vjeç, banues në Korçë, R.N, 35 vjeç, banues në Tiranë, R.Xh, 58 vjeç, banues në Korçë. Ndërsa ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj dy shtetasve të tjerë: K.P, 39 vjeç, banues në Bilisht dhe H.Xh, 52 vjeç, banues në Pogradec (të dy me detyrë doganierë pranë Doganës së Kapshticës).

Sipas Policisë, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë, kanë ushtruar në mjetin tip “Benz” të shtetasit Y.C, në Korçë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të dyshuara kontrabandë, të cilën ky shtetas ia kishte marrë shtetasit R.Xh, i cili me mjetin e tij tip “Volkswagen Sharon”, bënte kalimin në mënyrë të kundërligjshme të saj, nga Greqia drejt Shqipërisë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, duke shmangur detyrimet doganore.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se dy doganierët, shtetasit K.P dhe H.Xh, kanë shpërdoruar detyrën duke mos ushtruar kontrollin e duhur në brendësi të mjetit tip “Volkswagen Sharon” të shtetasit R.Xh.

Sasinë e medikamenteve shtetasi Y.C, do ta transportonte nga Korça në drejtim të Tiranës, për në farmacinë e shtetasit R.N, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e së cilës, iu gjet e sekuestrua një tjetër sasi medikamentesh me mbishkrime të huaja, të dyshuara si kontrabandë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, njofton Policia. /atsh