Loading...

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përgjigje Metës: Garantojmë normalitet të plotë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se situata është në normalitet të plotë dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme sipas protokolleve të sigurisë të sistemit penitenciar, kjo edhe në përputhje me zbatimin e procedurave për 41 bis, në përgjigje të kërkesës së presidentit Ilir Meta lidhur me situatën në burgje.

“Garantojmë për normalitet të plotë në sistemin penitenciar dhe për shërbimin ndaj personave të paraburgosur dhe të dënuar, në përputhje me legjislacionin për të drejtat dhe trajtimin e tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie e cila kërkon gjithashtu nga mediet që në informacionet që bëjnë publike, t’i referohen komunikimit me institucionet përgjegjëse.

“Duke marrë shkas nga kërkesa për informacion që Presidenti i Republikës i ka dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, disa portale kanë spekuluar duke publikuar lajme të rreme të natyrës destabilizuese. Në këto kushte e çmojmë të nevojshme të përgënjeshtrojmë këto lajme dhe të informojmë publikun se asgjë nga sa është publikuar në këto portale në lidhje me situatën në burgje nuk është e vërtetë”, thuhet në njoftim.

Burime të medies thanë sot se në një letër dërguar Drejtorit të burgjeve, Agim Ismaili, kreu i shtetit i ka kërkuar informacione për sistemin e sigurisë në burgje. Mësohet se Meta ka kërkuar të merren të gjitha masat për sigurinë në burgje. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com