Është hera e parë në një dekadë që një qeveri greke ka luksin të diskutojë planin e vet për katër vitet e ardhshme, një program që do të miratohet nga populli grek dhe jo nga trojka e huadhënësve të Greqisë, bëri të ditur kryeministri grek, Aleksis Cipras.
Duke paraqitur planin e SYRIZA-s, Cipras tha se kjo është vetëm për faktin se ‘’qeveria e nxori vendin nga memorandumi i kredisë, kur shumë besuan se ne nuk do ia dilnim dot, por populli grek besoi tek qeveria’’.
“Greqia nuk është më një vend i falimentuar, tani kemi mundësinë t’ju prezantojmë planin tonë për Greqinë e ardhshme, jo vetëm për elitën, por për të gjithë grekët’’, nënvizoi ai.
Cipras tha se e kupton zemërimin, lodhjen dhe zhgënjimin e votuesve dhe u bëri thirrje atyre të kujtojnë se ku ishte Greqia katër vjet më parë.
“Tani Greqia ka një rrugë të hapur përpara, dhe tani, mund t’u japim frymë atyre që e mbajtën barrën gjatë kohërave të vështira”, përfundoi kryeministri./ atsh