Turistët dhe vizitorët e shumë që vijnë në Shqipëri për turizëm, punë e biznes, apo dhe për turizëm shëndetësor, historik etj., po sjellin gjithnjë e më shumë valutë në vend.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në vendin tonë arritën në 348 milionë euro vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, konkretisht në periudhën janar-mars, duke shënuar një nivel rekord të pas viteve ’90.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet e të huajve kanë shënuar rritje prej 5,1%, ndërsa në krahasim me 2013-n, pothuajse janë dyfishuar.
Zgjerimi i paketave turistike dhe ofrimi i më shumë mundësive kanë zgjatur kohën e qëndrimit të turistëve të huaj në vendin tonë, madje kanë shtuar dhe fluksin e tyre nga vende të ndryshme të botës.
Tur operatorët shprehen se, në zonat bregdetare të vendit ku është fluksi më i madh i të huajve, kryesisht polakë, çekë, nordikë, gjermanë, janë rezervuar prenotimet deri në muajin tetor.
Ndërkohë që fluksi i tyre në vendin tonë sa vjen e po rritet. /atsh