Zëvendëskryeministri Erion Braçe uroi sot çdo shqiptar të besimit mysliman për festën e Bajramit.
“Posaçërisht njerëzve të mirë e punëtorë në Çermë të Sipërme, Çermë Sektor, Çermë Proshkë, Çermë Pasha, Kamp, Çermë Shkumbin, Sulzotaj, Shën e Premte, Grabian, Tre Ura, Stravec, Ferras, Sopëz, Spolatë, Babunjë, Gur, Muçias, Remas, Bedat, Adriatik, Kamenicë, Kryekuq, Zharnec, Mizë, Xeng, Bishtcukas, Germenj, Hallvaxhias, Bregas, Dushk Can. Kudo ku ka shqiptarë besimtarë në Divjakë, Lushnje padiskutim, Berat, kudo: Paçi çdo të mirë në shtëpitë tuaja, familjet, për prindërit e fëmijët së pari, pastaj për miqtë e shokët, vetëm mirësi e dashuri, drejtësi e solidaritet”, u shpreh Braçe.
Braçe u kërkoi atyre falje për çdo shqetësim të ardhur nga politika. “E di që jeni plot në shpirt pas këtij muaji të paqtë, shënjuar nga lutja, reflektimi e sakrifica, ndaj dua t’u kërkoj ndjesë për çdo shqetësim ardhur në mënyrën më të pashembullt nga politika”, tha ai.
Duke iu drejtuar qytetarëve Braçe tha se “ju i keni dhënë mësim të qartë gjithkujt ndër politikanë që këtë muaj, në ditë si kjo, kujtohen për Zot e besim, flasin në emër të tij e tyre, në emrin tuaj”.
“Kurrë nuk kujtohen qoftë edhe një çast kur vjedhin, dhunojnë, djegin, vrasin, urrejnë, shajnë e mallkojnë, nuk ndalen të mendojnë, reflektojnë, mbështetur e mbi bazë të vlerave të ligjit e besimit! Sot është dita e besimtarëve, atyre që duan e gjenden për tjetrin. Sot nuk është dita e hipokritëve që urrejnë e ndajnë mes njerëzish, vjedhin e vrasin, djegin e shkatërrojnë, duke kërkuar të fshihen tek Zoti”, tha Braçe.
“Nder e respekt për çdo burrë e grua që beson e sillet si i tillë çdo ditë, që gjendet për tjetrin me dashuri e përkushtim, ndan gjithçka me cilindo në nevojë”, tha ai./atsh