Zv/kryeministri Erion Braçe deklaroi sot se shfuqizimi i dekretit të datës së zgjedhjeve më 30 qershor nga presidenti Ilir Meta është krim i madh kushtetues.
“Pushtet pa zgjedhje. Pushtet sa të duash. Pushtet me kë të duash. E drejta për të zgjedhur me votë qeverinë e qeverisjen vendore, doemos qendrore, u shfuqizua sot! Kjo është risia kushtetuese që kërciti sot! Krim më të madh kushtetues se ky, nuk ka! Deformim më të rëndë demokracisë, nuk i ka bërë kush!”, thekson Braçe.
“Imagjinoni, në 2021, PS të dalë e të thotë; nuk e dua datën e zgjedhjeve, madje nuk marr pjesë në zgjedhje, i bie të rrijë pa fund në pushtet ose, deri kur të gjithë të bëjnë zgjedhjet siç PS do! Precedenti u legjitimua sot!”, shton Braçe.
“Tani mbyllni pak sytë, kthehuni pas në 2013-tën; PS hyri në zgjedhje pasi e vranë këta horra pushteti, PS hyri në zgjedhje pasi e vodhën, i morën pushtetin përtej zgjedhjeve, duke i shfuqizuar ato, këta horra pushteti, PS hyri në zgjedhje pa patur kërkënd në KQZ, zero! Ne nuk jemi këta!”, thekson Braçe.
Ne, vijon Braçe, “nuk duam pushtet pa zgjedhje! Ne kurrë nuk e kemi bërë e kurrë nuk do ndodhë që t’i shfuqizojmë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur! ndaj, 30 qershori është rrugë e nisur, kushtetutshmërisht, ligjërisht, nuk ndalet, nuk shfuqizohet, është e drejtë themelore!”
“Pushtet pa zgjedhje nuk ka më! Ka vdekur qysh në 2017-tën!”, nënvizon Braçe.
“Kërkush nuk mund t’i imponojë maxhorancës legjitime, krimin kushtetues! Kërkush nuk mund t’i imponojë maxhorancës legjitime, krimin kushtetues që i heq shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur me votë dhe i detyron të pranojnë pushtet të pa votuar”, thekson Braçe.
Kërkush shton zv/kryeministri, “nuk mund t’i imponoje vendit ndaljen, stopimin në përpjekjen historike për drejtësi të barabartë për të gjithë! Pabarazia para ligjit, Imponuar fort nga një sistem drejtësie politik, partiak, i korruptuar jo vetëm po rrënon vendin, shoqërinë dhe ekonominë, duhet të marre fund tani!”./atsh