Pas protestës tek Kryeministria gjatë së cilës nuk u shënuan incidente dhe nuk u hodhën lëndë piroteknike ndryshe nga protestat e mëparshme, mbështetësit e opozitës u drejtuan tek Parlamenti ku qëndruan disa minuta, dhe më pas iu drejtuan selisë së Partisë Demokratike.
Kryetari i PD, Luzlim Basha mbajti një fjalë para protestuesve duke u shprehur se, “kushtit të panegociueshëm të largimit të Edi Ramës dhe krijimit të një qeverie tranzitore që do përgatisë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme i shtohet një kusht tjetër i panegociueshëm, arrestimi dhe çuarja para drejtësisë e hajdutëve të votave tuaja”.
“I falët sot Shqipërisë shpresën e ndryshimit që po vjen. Mirënjohje për ju vëllezër dhe motra që sonte nuk ratë pre e provokimit për të mbytur këtë skandal me zhurmën e propagandorëve të Edi Ramës”, iu drejtua Basha protestuesve.
Basha shprehur mirënjohje të madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë që u bashkuan dhe u derdhën sot në atë që tha Basha, “do të mbahet mend si oqeani i shpresës që nisi ndryshimin e madh”.
“Asgjë nuk na ndal, asnjë hap pas nuk hedhim. Zgjedhje pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë kurrë”, u shpreh Basha.
Por sonte, tha Basha, “me bekimin dhe kërkesën tuaj qëndrimit tonë politik për zgjidhjen e kësaj krize përmes ushtrimit të panegociueshëm të largimit të Edi Ramës dhe krijimit të një qeverie tranzitore që do të përgatisë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme i shtohet një kusht i panegociueshëm, arrestimi dhe çuarja para drejtësisë e hajdutëve të votave tuaja. Nga i pari tek i fundit. S’ka paqe pa drejtësi. S’do të ketë në Shqipëri zgjedhje të lira pa çuar para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve”.
“Duke kujtuar me respektin më të thellë çdo liberator të mbajtur si të burgosur politik të Edi Ramës, dua t’i them të gjithë veglave qorre që dhunojnë opozitën që shumë shpejt do ta zëvendësoni Bardh Spahinë në qeli. Beteja do të vazhdojë ditë për ditë, orë për orë”, u shpreh Basha./atsh