Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbyllje të protestës së shtatë kombëtare nga oborri i selisë së PD deklaroi se, zgjidhja e vetme politike janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë. Harrojeni se do mbani pushtetin me dhunë. Hapini rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e vetme politike. Lëreni sovranin të flasë me votë ose dëgjoja zërin në protestën e ardhshme”, tha Basha.
“Ne nuk hedhim asnjë hap pas. E sotmja është dita e fundit që ju drejtohem me argumentet e arsyes të gjithë atyre me përgjegjësi në kupolën socialiste. Koha e fjalëve po mbaron sepse në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani, vetëm ju. E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë me dhunën e krimit, mbrohet me dhunën e krimit”, u shpreh Basha.
Basha theksoi se, “demonstrata sot ishte me praninë më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria, Ballkani dhe Europa. Një protestë e lirë për zgjedhje të lira pa të cilat s’mund të ketë demokraci”.
Basha theksoi se “gjatë protestës tonë bëmë gjithçka që asnjë punonjës i thjeshtë i rendit të mos dëmtohej dhe se kam fjalën për horrat që hedhin gaz”.
Pavarësisht kësaj, tha Basha, “përgjigja e tyre ishte dhuna disproporcionale ndaj disa protestuesve me fraktura dhe plagë të thella në këmbë”.
“Të jemi të bashkuar kështu dhe të vendosur për vlerën më europiane pa të cilën nuk ka Europë, nuk ka Amerikë, nuk ka demokraci, por vetëm despotizëm lindor si ai që Edi Rama do të instalojë në Shqipëri për të shkatërruar njëherë e mirë institucionet dhe integrimin euro-atlantik”, nënvizoi Basha. /atsh