Loading...

Balla: Ekskluzivitetin për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri e ka OSBE/ODIHR

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se raportin përfundimtar për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri e ka ekskluzivitet OSBE/ODIHR-i.

I ftuar në një studio televizive, Balla reagoi pas deklaratës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha lidhur me tërheqjen e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale, para zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

“Kongresi i Autoriteteve Lokale është një prej institucioneve përbërëse të KiE-së, por nuk është KiE, nuk bëhet fjalë fare për gjithë dërdëllitjen që sapo dëgjuan shqiptarët. Është si ai i mbyturi që kërkon të kapet pas çdo fije që i del para. Brenda KiE-së kjo javë ka qenë shumë intensive, bëhet fjalë për çështje të buxhetit”, tha Balla.

Ai tha se “edhe zgjedhjet në 2017 nuk janë monitoruar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale që i referohet Basha, por zgjedhjet monitorohen nga OSBE/ODIHR-i dhe drejtimi i institucionit të vëzhgimit bëhet nga një prezencë shumë aktive të drejtueses së këtij misioni vëzhgues, Glover, e cila është një autoritet që gëzon një reputacion ndërkombëtar, në misionet e vëzhgimit dhe e njeh shumë mirë Shqipërinë.

“Siç jeni në dijeni kemi një numër vëzhguesish të akredituar nga ODIHR-i gjatë këtyre zgjedhjeve, si dhe nga pjesa më e madhe e ambasadave në partneritet me shoqërinë civile”, tha Balla.

Përtej mënyrës se si është sjellë ky lajm në media, Balla tha se “ka qenë në dijeni të këtij lajmi”. “Kam qenë në dijeni të këtij vendimi që javën e kaluar. Nuk ka nevojë për ta trajtuar si një lajm tejet të rëndësishëm”, tha ai.

Balla tha se “të gjithë janë të qartë se shqiptarët do të votojnë në 30 qershor dhe menjëherë pas 30 qershorit do të vijojë puna me qeverisjen vendore”. “Ditën e diel partitë do të heshtin dhe do të flasë vetëm sovrani. Pas përfundimit të zgjedhjeve vendore dhe mbylljes së këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor, ne kemi ndjeshmëri për të dialoguar me opozitën institucionale në Kuvend, por edhe me opozitën rrugore”, tha Balla, duke shtuar se mazhoranca i ka dhënë opozitës jashtëparlamentare mundësinë e përfaqësimit në komisionin e reformës zgjedhore.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Balla tha se “Kuvendi do të vijojë punën për të hedhur poshtë dekretin e presidentit që ktheu për shqyrtim në Kuvend ligjin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.

Po ashtu, sipas tij, do të vijojnë procedurat për shkarkimin e Presidentit. “Kjo është një procedurë e vendosur nga ajo që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Brenda dy javëve nga marrja e njoftimit, komisioni i ligjeve në Kuvend përgatit raportin dhe e depoziton atë dhe brenda 7 ditëve merr vendimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Brenda 10-ditëshit të parë të korrikut do të ngrihet edhe komisioni hetimor për vlerësimin e shkeljes së rëndë kushtetuese nga ana e Presidentit, që përbën arsyen për shkarkimin e tij”, tha Balla./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com