Artistë dhe sportistë kanë shprehur hapur mbështetjen për kryebashkiakun Erion Veliaj edhe për një mandat të dytë në krye të bashkisë së Tiranës.
Gjatë takimit hapës të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit në Parkun Olimpik, ata kanë vlerësuar ndryshimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti dhe kanë bërë thirrje për një votëbesim edhe për katër vitet e ardhshme.
Aktori Gazmend Paja, atletja Luiza Gega, këngëtarja e mirënjohur Eneida Tarifa dhe sportisti Izmir Smajlaj janë shfaqur përkrah Veliajt.
Ata thanë se duan ta shohin vendin e tyre të ecë përpara, ndaj edhe mbështesin punën që ai ka bërë për Tiranën.
“Dua ta shoh vendin tim të ecë përpara dhe më bëhet zemra mal kur shikoj sa shkolla dhe terrene sportive shtohen çdo ditë. Dua që ky zhvillim që po i bëhet vendit, ne e meritojmë ta ngremë vendin tonë sa më lart”, tha Luiza Gega.
Ndërsa Smajlaj dha një mesazh që 30 qershori të jetë pa dhunë. ‘Kam ardhur për të dhënë një mesazh jo politik, që 30 qershori të jetë ditë e zakonshme, pa rrëmujë dhe pa dhunë’, u shpreh Smajlaj.
Aktori Gazmend Paja tha se “e di që këta çunat dhe gocat do të hyjnë në histori dhe dua të jem pjesë e historisë”.
Këngëtarja Eneida Tarifa u shpreh se “nëse do kishte bërë nëna nja 3 si Erion Veliaj, nuk e di ku do ishim këtë 4-vjeçar. Unë jam në krah të Erionit sot as sepse kam një backgruond socialist, as sepse kam ndonjë teser partie, jam këtu sepse besoj te ky djali që kam këtu pranë. Besoj sepse kam parë atë që ka ndodhur me Tiranën tonë të dashur , me një qytet që po shkon drejt Europës”.
Ndërsa këngëtarja Anxhela Peristeri u shpreh se “në 30 qershor do të votoj për të ardhmen e Tiranës, do të votoj për ndryshimet që kam parë këto katër vjet, për gjelbërimin, për pastërtinë e qytetit tonë, për amfiteatrin, për Pazarin e Ri, për çdo ndryshim që është bërë në Tiranë”./atsh