“Ndryshe nga kjo qeveri që, kur ishte në opozitë, dhunonte policinë, Lulzim Basha dhe PD në çdo protestë kanë qenë në mbrojtje të policëve me thirrje të hapura dhe me veprime konkrete”, deklaroi sot ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj duke reaguar pas deklaratës së policisë për arrestimet e disa protestuesve pas akteve të dhunës në protestën e së dielës në mbrëmje.
Alibeaj theksoi se, nuk ka njeri në Shqipëri që i ka dhunuar më shumë policët sesa Edi Rama duke i kthyer ata në shërbim të krimit.
“Policia që drejtohet nga të inkriminuar do të çlirohet bashkë me gjithë popullin nga zgjedha e krimit dhe te korruptuarit”, u shpreh Alibeaj ndërsa shton se policia është e popullit dhe jo kundër tij.
“Policia është e popullit dhe jo kundër popullit, qeveria është e krimit kundër policisë dhe popullit të saj. Populli është në këmbë për t’i kthyer dinjitetin dhe policisë së shtetit, prandaj ne jemi me ta në krah dhe mbrojtje të tyre”, theksoi ai./atsh