Komisioni Qendror Zgjedhor njofton se, sot, sipas Kodit Zgjedhor të 90 KZAZ-të po shpërndajnë materialet zgjedhore drejt 5417 Qendrave të Votimit në të gjithë Shqipërinë.
Në një njoftim për shtyp KQZ, bën të ditur se, procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka përfunduar nga 53 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, ndërkohë që të gjitha KZAZ-të e tjera janë drejt përfundimit të këtij procesi.
Përjashtim bën KZAZ nr. 6, bashkia Vau i Dejës, ku për shkaqe tashmë të njohura, materialet zgjedhore u ridërguan në orët e para të ditës së sotme, çka diktoi vonesën në nisjen e procesit të shpërndarjes së bazës materiale për 53 Qendrat e Votimit që ka kjo KZAZ.
Ndërkohë, në Qarkun Shkodër, rezulton që rreth 50% e qendrave të votimit vazhdojnë ende të mbahen të mbyllura nga autoritetet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje kryetares së bashkisë Shkodër të bashkëpunojë në respekt të ligjit.
Sipas KQZ-së, në bazë të Kodit Penal këto veprime konsiderohen vepër penale; shpërdorim detyre dhe pengim i subjekteve zgjedhore.
KQZ në mbledhjen e sotme me vendim ka autorizuar ndryshimin e disa vendndodhjeve të qendrave të votimit.
“Ky ndryshim, pavarësisht se jo për shkak të forcave madhore, ashtu sikundër Kodi Zgjedhor përcakton, ishte i detyrueshëm për të garatuar që çdo qendër votimi, ditën e nesërme të jetë e hapur për zgjedhësit shqiptarë. Të gjitha KZAZ-të që administrojnë procesin zgjedhor në zonat ku u bënë ndryshime të qendrave të votimit, do të afishojnë listat e zgjedhësve në vendndodhjet e reja, të caktuara me vendim të KQZ-së. Ndaj, KQZ kërkon mirëkuptimin e zgjedhësve të këtyre qendrave të votimit për këtë veprim të detyruar, si edhe kërkon që të informohen dhe të kontrollojnë faqen zyrtare të KQZ-së, për të qenë të mirorientuar ditën e nesërme për t’iu drejtuar qendrave të votimit”, citon njoftimi i KQZ-së. /atsh