Loading...

28-vjetori i PS-së/ Balla: Na gjen në një moment të rëndësishëm, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE

Sot jemi në një nga momentet më të rëndësishme, brenda 5 vite e gjysmë të qeverisjes sonë jo vetëm morëm statusin e vendit kandidat, por Partia Socialiste sot teksa qeveris e vetme është në momentin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në aktivitetin e organizuar me rastin e 28-vjetorit të krijimit së Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Kjo është festa më e bukur qe kemi organizuar për ditëlindjen e PS-së. Kjo ditëlindje e 28 e ka gjetur PS në një moment shumë të rëndësishëm, që do të jetë pikë reference për mënyrën se si do të jetë Shqipëria në 30 vitet e ardhshme”, – theksoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, u shpreh se “në gjithë 28 vitet e ekzistencës së partisë më të madhe jo vetëm brenda Shqipërisë, por në të gjitha trojet shqiptare festimi dhe udhëheqësia, qeverisja dhe kontributi i PS-së ka qenë pikësëpari përpjekja jonë për ta bërë vendin tonë me një shtet të fortë, me institucione të forta dhe demokraci institucionale”.

“Sa herë që PS ka marrë detyrën për të qeverisur vendin e ka nisur nga një pikë e vështirë, e ka marrë Shqipërinë nga një humnerë e lënë gjithmonë nga Saliu dhe e ka ngritur atë”, – tha Balla.

Ky 28-vjetor, vijoi Balla, e gjen Shqipërinë në një moment të rëndësishëm që lidhet me zgjedhjet. Këto nuk janë si të tjerat, këto janë më të rëndësishmet. Kush thotë se në këto zgjedhje nuk kemi kundërshtarë e ka gabim, kundërshtari jonë në këto zgjedhje ndoshta është edhe më i vështirë, sepse janë ata kundërshtarë që nuk duan që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje.

“Ne do ta kalojmë këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe shumë deciziv për mënyrën si do duket Shqipëria pas 30 qershorit”, – përfundoi Balla./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com