Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e sotme se 30 qershori është një detyrim për të gjitha partitë politike që duan të dalin para popullit.
“Pushteti dhe karrigia nuk janë të miat. Besimin ma kanë dhënë qytetarët. Unë nuk kam të drejtë të negocioj vullnetin e tyre dhe të bëhem pjesë e një historie që nuk do zgjidhte problemin, por do hapte një precedent që do e ndiqte si mallkim Shqipërinë, se çdo opozitë do thoshte pse të rrimë ne 4 vjet në Kuvend, po marrim molotovët dhe po dalim në rrugë”, theksoi ai në një intervistë me panel gazetarësh në emisionin “Open”.
I pyetur për mundësinë e ndryshimit të datës së zgjedhjeve, Rama tha se ka një ofertë shumë të qartë që është 30 qershori. “30 qershori është detyrim për të gjitha partitë politike që duan të dalin para popullit dhe të gjykohen”, – theksoi Rama.
Për Kryeministrin Rama, i vendosur para mundësisë së një konflikti civil, që të ketë konflikt civil duhet të ketë popull në konflikt. “Këtu nuk ka popull në konflikt, ka vetëm konflikt politik prej një grushti njerëzish që kërkojnë pushtet”, – theksoi ai.
“Në ato protesta nuk është populli. Aty është një popull imagjinar me punonjës bashkish, punëtorë ujësjellësash dhe kanalizimesh, ca ndjekësish besnikë me maska”, – tha Rama. /atsh