Kapiteneria e Vlorës ka ndihmuar kroçerën “Costa Victoria”, pasi në bordin e saj kishte një të sëmurë rëndë.
“Në orën 21:15 Kapiteneria e Vlorës mori thirrjen për ndihmë nga kroçera. Pas kërkesës kapiteneria reagoi me shpejtësi dhe organizoi operacionin e shpëtimit të jetës, pasi në bordin e kroçerës kishte një të sëmurë rëndë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Sipas DPD, ambulanca dhe mjekët e ndihmës së shpejtë erdhën në kohë rekord në portin e Vlorës.
“Pasi afrohet kroçera në radën e portit me rimorkiatorin ‘Aulona’ u bë e mundur marrja e pacientit dhe transportimi drejt spitalit të Vlorës”, thekson DPD.
Kroçera “Costa Victoria” me 1457 turistë në bord vizitoi dje qytetin e Sarandës. /atsh