Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi gjatë një takimi të premten në mjediset e dikasterit të Bujqësisë, me operatorë të biznesit të ushqimit, prezantoi paketën e ndryshimeve ligjore që ndalon abuzuesit me produktet në treg.
“Siguria ushqimore në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve, është prioritet dhe e kemi bërë të qartë, tolerancë zero ndaj kujtdo që abuzon me produktet ushqimore” -tha Çuçi, ndërsa garantoi kontroll rigoroz në të gjithë zinxhirin ushqimor, në çdo hallkë të prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve.
“Miratimi në Kuvend i ndryshimeve në Kodin Penal për sigurinë ushqimore, na jep mundësinë të kapin abuzuesit dhe t’i ndëshkojmë ato. Asnjë operator i biznesit ushqimor nuk do tentoje te mashtrojë duke u nisur nga babëzia per fitim”- tha ministri.
Sipas tij, qëllimi final, është rikthimi i besimit tek konsumatorët, se çdo produkt që konsumojnë është i sigurt.
Çuçi theksoi se, “Janë shumë beteja për tu fituar derisa të garantojnë konsumatorët se produktet që konsumojnë janë 100% të sigurta dhe ne do t’ia arrijmë”.
Ministri i bëri apel biznesit, prodhuesve dhe konsumatorëve të angazhohen në sfidën për sigurinë ushqimore, me impakt të drejtpërdrejt në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Ne kemi filluar betejën për sigurinë ushqimore, me produktet e shportës, duke menduar se 90% e konsumatorëve i kanë si ushqime të përditshme. Kemi filluar me kontrollin e qumështit, kripën dhe do të vazhdojmë me miellin, bukën”- tha Çuçi.
Ndërsa solli në vëmendje të audiencës, shembullin e abuzimit me gjalpin të konstatuar nga inspektorët e Autoritet Kombëtar të Ushqimit. Ky produkt, tha ministri hyn nga importuesi si yndyrë me origjinë bimore, ç’doganohet si margarinë dhe paketohet si gjalp, duke infektuar tregun.
“Ky është rasti për të bërë me dije se kontrolli në të gjithë zinxhirin ushqimor, do të kryet për të gjitha produktet dhe të gjithë abuzuesit që kërkojnë të fitojnë në kurriz të sigurisë ushqimore do të ndëshkohen”- tha ai./atsh