Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka bërë të ditur sot listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese në Euro 2020.
Në një konferencë për shtyp, Reja u shpreh se “objektivi është kualifikimi për në Europianin e ardhshëm”.
“Sigurisht tha ai nuk do të jetë e lehtë pasi janë 5 ekipe që duan të kualifikohen dhe vetëm 2 të para kualifikohen direkt ndërsa e treta mund të ripeshkohet”, tha Reja.
Por, shtoi italiani, “ndjej një atmosferë pozitive rreth Kombëtares dhe kam besim tek rezultatet pozitive”.
Duke folur për lojtarët e grumbulluar, Reja tha se, “janë 18 lojtarë që kanë qenë me De Biazin. “Janë dhe lojtarët e tjerë që kanë qenë me Panuccin. Më duhet kohë që të bëj vlerësimin e duhur. Kam parë të rinj dhe 4 lojtarë të Partizanit, por janë edhe lojtarë të tjerë që kam parë dhe më pas i kam kthyer. Vrionin e kam parë, por më pas e ktheva, pasi nuk kishte gjendjen e duhur. Duhet durim për këto dy ndeshje që kemi. Tani për tani, kam një listë 35 lojtarë, që unë po i ndjek. Koha është shumë e shkurtër, ndaj vendosa të marr ata lojtarë që kanë qenë më përpara”, tha ai.
“Do mundohemi të rregullojmë pjesën mbrojtëse e më pas të kalojmë te sulmi. Çdo lojtar duhet ta ketë të qartë objektivin, para se të vijë në Kombëtare. Kam folur edhe me djemtë, lojtarët që vijnë këtu duhet ta ndjejnë këtë skuadër. Shqiptarët që jetojnë jashtë e ndjejnë këtë skuadrën. Futbolli është sport primar këtu në Shqipëri dhe shikoj që janë shumë të lodhur”, tha Reja.
Reja mori drejtimin e Kombëtares shqiptare pas shkarkimit të Christian Panuccit.
Shqipëria do të luajë në 8 qershor në Rekiavik ndaj Islandës dhe më pas në 11 qershor në Elbasan Arena ndaj Moldavisë.
Shqipëria renditet e treta në grupin H me tre pikë, teksa grupin e kryeson Franca me 6 pikë, e ndjekur nga Turqia po me 6 pikë./atsh