Loading...

Regjistrimi i banesave apo truallit, Lame: Të hënën nis procesi

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që duke filluar nga e hëna të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për të ligjëruar pronën ose truallin e tyre.

Në një konferencë për shtyp të premten, Lame tha se “qytetarët e interesuar të hënën të fillojnë të plotësojnë dokumentacionin përkatës me qëllim që të ligjërojnë banesën dhe truallin e tyre pranë zyrave tona të Kadastrës”.

“Trualli i përfituar me Vendim të Këshillit Bashkiak, e dhënë për leje ndërtimi, është ende në emër të qytetarit dhe ky i fundit, nuk e ka shitur tek të tjerë, ai mund të kërkojë regjistrimin”, – theksoi Lame.

Sipas tij, sot në të gjithë vendin janë 12-13 mijë banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër etj.

“E them me përgjegjësi se në një pjesë të këtyre rasteve procesi i dhënies së trojeve ka qenë i parregullt dhe i paligjshëm. Faji nuk është i qytetarëve, por i njësive vendore apo kryetarëve të bashkive që i kanë hyrë këtyre aventurave që ende e kësaj ditë i paguajnë banorët”, – deklaroi kreu i Kadastrës Lame. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com