Loading...

Rama i përgjigjet Haradinajt: E vërteta ime me shumë dëshmitarë

“Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për diskutimet në Samitin e Berlinit.

“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre, e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një normë elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e parë që e bën, po është hera më e gabuar dhe prandaj këtë herë, s’e kaloj dot në heshtje si të tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi”, tha ai.

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, sipas Ramës, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. “Kam ndërhyrë vetëm një herë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar me shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!”, tha Rama.

Kryeministri informoi se i ka sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse ka menduar dhe mendon që përfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm.

“E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksën si një “klithëm” të Kosovës, që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm dot nga askush e askurrë (pa të cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe të drejtën e saj njëqind vjet të mohuar s’do ta njihte kurrëkush ende sot), kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshëm për mua”, shtoi ai.

Shtoj këtu, vijoi Rama, se më ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasën në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën(!).

“Gjithësesi, meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e taksës, mua s’më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem me faktin që pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi”, u shpreh Kryeministri Rama.

“S’kam dashur dhe s’dua të hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosovë, aq më pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën”, tha Rama në përfundim./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com