Loading...

Protestat e dhunshme të opozitës godasin ekonominë, anulime të rezervimeve të turistëve të huaj

“Protestat e dhunshme të opozitës godasin ekonominë e vendit dhe ekonominë familjare të të gjithë atyre që jetojnë në këtë vend”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri foli për ndikimin negativ që shkakton kjo situatë në ardhjen e turistëve të huaj.

“Pata një takim me një grup të operatorëve turistikë para se të vija këtu. Ata ishin shumë të shqetësuar për faktin se mbas përhapjes së atyre imazheve, menjëherë ka anulime të rezervimeve nga hotelet e vendit”, – tha Rama.

Sipas tij “ka rënie të potencialit ekonomik të kësaj industrie kyçe për vendin, goditje të vendeve të punës që krijon kjo industri dhe ka rënie për buxhetet e të gjithë sipërmarrjeve të mëdha e të vogla që merren me turizmin drejtpërdrejt apo indirekt”.

“Ky përbën një shqetësim real. Këto manifestime nuk sjellin asnjë gjë të mirë, por përkundrazi, u bëjnë keq Shqipërisë dhe shqiptarëve. E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shanse të preket nga gjithë kjo është qeveria dhe shumica qeverisëse. Gjithçka tjetër preket dhe ndryshon për keq”, – tha Rama./atsh