“Partia Bindja Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, duke u përballur me të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste, pa dallim”, – deklaroi sot kryetari i kësaj force politike, Astrit Patozi.
Përmes një deklarate për shtyp, Patozi shpalli objektivin e Partisë Bindja Demokratike për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Ne kërkojmë mbështetjen e çdo qytetari që mendon se Shqipëria po qeveriset keq. Bindja Demokratike ka si orientimin e vetë kryesor që në këto zgjedhje të prezantohet me kandidatët e saj. Do të pranohen të gjithë kandidatët e djathtë, kandidatët e pavarur dhe ish-kryetarët e bashkive të djathta”, – tha Patozi.
Patozi tha se “nëse vendimi i kandidatëve të pavarur për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit përputhet me vizionin tonë, ne do t’i mbështesim ata pa dallim, duke mos kandiduar në bashkitë që ka kandidatë të pavarur”.
“Ne do të mbështesim pa mëdyshje edhe kandidatë nga ish-kryetarë bashkish të djathta. Gara jonë është me kandidatët e Rilindjes së Edi Ramës”, – tha Patozi. /atsh