Loading...

Operacioni antidrogë “BISTRICA 2019”, shkon në 13 numri i të arrestuarve

Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasin E.M., 37 vjeç, banues në Patos, si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike.

Dy ditë më parë Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, finalizoi operacionin antidrogë të koduar “BISTRICA 2019”.

Në operacion u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier.

“Pas një hetimi proaktiv, përgjatë një harku kohor disa mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit gjatë operacionit policor të koduar “BISTRICA 2019”, u arrestuan dhe u ndaluan 11 persona si dhe u sekuestruan 79 kg kanabis sativa, e fshehur në një automjet në vende të krijuara posaçërisht. Po gjatë operacionit, në kontrollet e ushtruara u sekuestruan edhe tri armë zjarri u vu në pranga një 52-vjeçar nga Mallakastra”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Sipas policisë, më 5 prill të këtij viti në funksion të këtij procedimi penal në Kapshticë, u arrestua edhe një pjesëtar tjetër i këtij grupi kriminal, ku u sekuestrua rreth 68 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.

Gjithsej në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 145,6 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa; 3 armë zjarri dhe municion luftarak, 4 automjete të markave të ndryshme; një sasi vlerash monetare, 14 aparate celularë me kartat Sim të markave të ndryshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky grup kriminal./atsh