“Flamuri kombëtar në zi”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama duke shprehur hidhërimin për ndarjen nga jeta të major Klodian Tanushit.
“Fatkeqësisht edhe Klodian Tanushi, ushtaraku ynë i angazhuar në misionin e NATO-s, ku humbi jetën dëshmorja Zarife Hasanaj, s’u mbijetoi dot plagëve! Ai u nda nga jeta si një dëshmor i atdheut e shembull i lavdishëm i sakrificës së Forcave tona të Armatosura”, tha Rama.
Major Tanushi u plagos rëndë në incidentin e 6 majit, ku humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni, ku po zhvillohej stërvitja ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim ka mbetur i plagosur edhe rreshteri Julian Xhevat Kapaj./atsh