Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dënimin me 10 vite burg për Klement Balilin. Gjykata mori vendimin për ta dënuar Balilin me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 10 vite burg.
Prokuroria kërkoi 18 vite burg për 4 akuza, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet me një të tretën, duke kërkuar përfundimisht 12 vite burg.
Gjykata pasi u tërhoq për të marrë vendim e deklaroi fajtor Balilin, duke e dënuar me 15 vite burg, 10 vite në total.
Balili është akuzuar për kryerjen veprave penale “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”,
“Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. /atsh