Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për një bashkim të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë.
Në një konferencë për mediet, Haradinaj deklaroi se çështja e bashkimit kombëtar është një projekt shekullor dhe se Kosova dhe Shqipëria duhet t’i heqin pengesat burokrate.
“Për çështjen e bashkimit kombëtar mund të them se është projekt i shekujve por në etapën që ndodhemi mendoj se është e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria ta thellojnë bashkëpunimin e gjithanshme, t’i heqim pengesat burokratike, administrative e të tjera ose ta heqim taksën e rrugës që e kanë nxjerrë për qytetarët e Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se vetëm përmes veprimeve konkrete fuqizohen lidhjet Kosovë-Shqipëri.
“Do ishte mirë me vepru kështu ma konkret dhe me ndihmu lidhjen më të fuqishme ekonomike e gjithanshme Kosovë-Shqipëri”, tha Haradinaj./KosovaPress/