Për 15 ditë rresht, Tirana do të mirëpresë 214 artistë nga 18 shtete, që do të na dhurojnë çdo ditë një performancë ndryshe në edicionin e tretë të Festivalit të Resë.
Muzikë, valle dhe të tjera aktivitete do të krijojnë një atmosferë fantastike për të gjithë ata që dashurojnë artin.
Siparin ky festival e çel sot në orën 19:30 me një parade me daulle të ndriçuar me drita LED , për të zbritur më pas tek parkingu nëntokësor i sheshit “Skënderbej” dhe ndjekur në orën 20:30 me performancën 30-minuteshe “E Zakonshme” të krijuar posaçërisht nga artisti bashkëkohor Klod Dedja.
Mbrëmja do të vazhdojë me një koncert live, aheng tirons nga këngëtari i madh Rik Buneci dhe Orkestra. Ushqim, pije, kokteile dhe DJ-s do të shoqërojnë këtë mbrëmje underground e cila do të zgjasë deri në orën 02:00 të mëngjesit.
Përgjatë ditëve dhe netëve të festivalit, artistët më të mirë vendas dhe të huaj do të sjellin tek Reja ndërthurjen më të mirë midis dy ekstremeve të kulturës (artit ,muzikës,dancit dhe ndërthurjeve të tyre) – Të kulturës Bashkëkohore – duke veçuar këtu premierën e OPERAS eksperimantale “MAL” e cila është e inspiruar nga vepra e poetit tonë të madh MIGJENI.
Një vend të veçantë do të ketë edhe kultura tradicionale, e cila sjell muzikën e vjetër e më të mirë të ahengunt tirons dhe ahengut shkodran. Ansambli SAZ’ISO me famë ndërkombëtare,vjen si premierë shqiptare për të sjellë Gëzimin dhe Trishtimin e Muzikës së Sazeve te Shqipërisë së Jugut.
REJA dhe lulishtja e saj do të jenë hapësirat e teatrit fizik, instalacioneve audio-vizuale, bashkëbisedimeve me artistë, lojërave piknike e after-party, performanca të artit dhe dancit bashkëkohor, muzikë dhe kërcim, paradë me Led, rituale, tambure japoneze, kërcim egjiptian, workshops, leksione spirituale, kërcim TAP dhe Irlandez performanca letrare, trajnime 8-ditore për artin e performancës, leksione në universitete per menaxhim të karrierës artistike si artist i pavarur.
Sikurse është bërë tashmë traditë, do të ketë edhe DJ dhe kurse kërcimi në publik ku veçojmë Vallen e Tropojës udhëhequr nga Mjeshtri i Madh koregrafi Delih Metalia dhe Ansambli Dandania për të përfunduar me Rapsodinë Freiraum e kompozuar dhe dirigjuar nga Prof. Fatos Qerimaj dhe performuar nga Orkestra e Muzikës Bashkëkohore, me pjesëmarrjen e KORIT TË RESË.
Por më e veçantë do të jetë performance e artistit Astrit Ismaili “EMO GIRL” – “Vajza EMO”, e cila mund të quhet një nga performancat e para ose të vetme në vendin tonë, e cila bën bashkë trupa femërore, njerëz me gjini fluide dhe queer (joheteroseksuale). Reja dhe festivalet e saj janë produkte të mbështetura që prej fillimit nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. /atsh