Në mbyllje të vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, kreu i PD, Lulzim Basha ishte i ftuar i nderit në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër.
Mes pjesëmarrësve në këtë darkë pune ishte Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe anëtar i Dhomës së Lordëve.
Në darkë ishin të pranishëm edhe deputetët Crispin Blunt, Sir Mark Lyall Grant, dhe Gavin Williamson, anëtar i Parlamentit Britanik dhe lidershipit të Konservatorëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes.
Gjithashtu në darkë ishte i pranishëm edhe Sir Hugh Orde, ish Kryedrejtuesi i Shërbimeve të Sigurisë në Irlandën e Veriut.
Në qendër të diskutimeve ishte siguria dhe stabiliteti në Europën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri.
Basha shprehu mirënjohjen për ndihmën e çmuar të Britanisë së Madhe për kapërcimin me sukses të sfidave jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, në veçanti, në luftën e Kosovës dhe procesin e pavarësimit të saj, në konfliktin e armatosur në Maqedoni e Marrëveshjen e Ohrit dhe, së fundmi, Marrëveshja e Prespës që shërben për të konsoliduar perspektivën afatgjatë euroatlantike të rajonit, duke garantuar anëtarësimin e saj në NATO.
Basha ndau me miqtë e shquar britanikë qëndrimin e PD se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe minuar perspektivën europiane të vendeve dhe popujve të rajonit.
“Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik.”- theksoi kreu i opozitës.
“Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtësia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës”, vuri në dukje Basha.
Ai i njohu bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor nën kujdesin e një qeverie tranzitore, e cila do t’i çlirojë duart drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur në bashkëpunim me krimin për vjedhjen e zgjedhjeve dhe do të përmbushë të gjitha parakushtet e ngarkuara me ligj për të garantuar votën e lirë./atsh