Balla mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Muzeun Kombëtar, në kuadër të 75- vjetorit të Çlirimit.
“Prej 28 vitesh vijojnë përpjekjet e dështuara të nxijnë LANÇ, por nuk ja kanë arritur dot. Dhe nuk do t’ia arrijnë edhe së fundmi. Nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo qeverie shqiptare”, tha Balla, duke shtuar se vetëm nderimi nuk mjafton.
Mesazhet e Luftës Antifashiste, sipas tij, “janë mesazhe që ne duhet t’i përcjellim me ngulm dhe pas asnjë lëkundje, tek të gjithë përfaqësuesit e gjeneratës tjetër”.
Partia Socialiste, tha Balla, bën të gjitha përpjekjet, duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, jo vetëm si një faqe e lavdishme e historisë sonë kombëtare, por si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen.
“PS dhe përfaqësuesit e saj në qeverinë qendrore dhe atë vendore janë të angazhuar në kujdesin për varrezat e dëshmorëve në cdo qytet, kujdesin për lapidarët në kujtim të heronjve. Ligji që sapo kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë “Për Statusin e Dëshmorit” është një konfirmim i këtij angazhimi të vazhdueshëm tonin”, tha ai./atsh