Loading...

“Aulona Inter Folk”, gërshetim traditash nga 9 ansamble europiane

Edicioni i 11-të i Festivalit “Aulona Inter Folk” do të mbledhë për tri ditë më radhë në qytetin bregdetar të Vlorës mbi 300 artistë nga vende të ndryshme të Europës.

Festivali, që do të zhvillohet nga 11-13 maj në sheshin “Lungomare” do të ketë një larmishmëri të ansambleve pjesëmarrëse.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “në këtë edicion për herë të parë, mes flamujve dekorues të skenës do të zënë vend edhe ato të grupeve nga Anglia e Finlanda, madje me kërkesën e tyre për pjesëmarrje. Gjeografia e shteteve pjesëmarrëse mbetet përherë në kujdes të organizatorëve. Operohet me përzgjedhje grupesh, por edhe shtetesh, duke pasur për çdo vit risinë e vet”.

“Mbase duket e pabesueshme, por ndër mbi 85 ansamble që kanë marrë pjesë gjatë gjithë historisë së festivalit, vetëm dy kanë mundur të jenë dy herë në Vlorë. Në këtë edicion, për herë të parë, mes flamujve dekorues të skenës do të zënë vend edhe ai i grupit nga Anglia e ai nga Finlanda, madje me kërkesën e tyre për pjesëmarrje”, thekson Gjokoli.

Në “Aulona Inter Folk” do të marrin pjesë 9 ansamble folklorike nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, dy grupe polifonike, do të jetë e ftuar këngëtarja kosovare Shkurte Fejza, si dhe grupi i valleve nga SHBA”.

Grupi “MORRIS MEN RUTLAND”, Angli

“MORRIS MEN RUTLAND“ vjen nga një rajon midis Leicester dhe Nottingham, i votuar kohët e fundit si një nga vendet më të mira për të jetuar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Grupi është themeluar gati 50 vjet më parë, si pjesë e një ringjalljeje të përgjithshme në traditën e Morris Dancing në vitet ’70 në Angli.
Morris Dancing janë valle rituale që kërcehen me shkopinj e shami dhe muzikantë që përdorin instrumente tradicionale. Besohet se shkopinjtë përplasen dhe rrahin tokën për ta zgjuar atë, ndërkohë që shamitë tunden për të trembur shpirtrat e këqinj.
Origjina e këtyre vallëzimeve është e fshehur në mjegullën e kohës, por ka të dhëna të shkruara dhe fotografi të vallëzimit që besojnë se vallet origjinale mund të jenë të paktën njëmijë vjeçare.
“Morris Men Rutland” kanë dhënë koncerte në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, po edhe në Francë, Belgjikë etj. E veçantë për ta mbetet performanca për Mbretëreshën e Anglisë përpara disa vitesh, kur kur ajo vizitoi Rutlandin.

Ansambli folklorik “PÖRRIÄISET”, Finlandë

Ansambli “PÖRRIÄISET” vjen nga Finlanda, nga qarku Nurmijarvi vetëm 35 km nga Helsinki, kryeqyteti i vendit. Ky ansambël është krijuar në vitin 1973 dhe ka në program valle të vjetra finlandeze, por edhe koreografi të reja që bazohen në melodi të vjetra.
Ansambli ka një veprimtari të gjerë artistike brenda dhe jashtë vendit me një gjeografi të gjerë pjesëmarrjeje në mbi mbi 30 shtete të botës, nga Europa, Korea, Zelanda e Re e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ansambli “Prishtina”, nga Kosova

Ansambli “Prishtina” vjen nga Kosova, mban emrin e kryeqytetit të vendit, dhe është themeluar në vitin 2012. Ndonëse në pak vite ka arritur të marrë pjesë në më shumë se 50 festivale në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi si dhe në shumë manifestime e programe televizive folklorike. Drejtor i Ansamblit është koreografi Mehmet Xhemajli dhe udhëheqës artistik Jetullah Beqiri.

Ansambli “Crna Gora”, nga Mali i Zi

Ky ansambël është themeluar në vitin 2000 dhe mban emrin e vet shtetit dhe është nga më të njohurit në Mal të Zi. Shënon një biografi shumë të pasur artistike me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme festivalesh në mbi 25 vende të Ballkanit dhe Europës, e deri në Emiratet e Bashkuara Arabe. Është fitues i shumë çmimeve dhe vlerësimeve ndërkombëtare. Drejtor i Ansamblit është Streten Kaludjeroviç.

Ansambli “Zdravets”, Bullgari

Është krijuar në vitin 1984 dhe është nga ansamblet më të njohur jo vetëm në kryeqytetin bullgar, por edhe në rang vendi.
Njihet si një nga ansamblet më unikë të Bullgarisë dhe është pjesëmarrës në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe fitues i një sërë çmimesh të larta.
Veçohen pjesëmarrja në festivalet ndërkombëtare në Spanjë, Itali, Suedi, Belgjikë, Turqi, Greqi, Francë, Poloni, Rumani, Holandë, Qipro etj.
Ansambli udhëhiqet nga bashkëshortët Stojanov: Georgi dhe Alexsandra.

Ansambli “Matja Gubec”, Kroaci

Ansambli mban emrin e një luftëtari të madh të Kroacisë, përmendorja e të cilit qëndron e vendosur në qendër të Zagrebit. Ansambli është themeluar në vitin 1979 dhe ka një veprimtari të gjerë folklorike brenda dhe jashtë Kroacisë. Me muzikë origjinale, me këngë e valle folklorike me kostume tradicionale. Pjesëmarrës në shumë vende të Europës, si Francë, Portugali, Spanjë, Suedi, Slloveni, Holandë, Sllovaki, Poloni, Gjermani, Çeki etj.
Përpara jush ansambli “Matja Gubec”, Gornja Stubica, Kroaci.

Ansambli i valleve popullore “E&E”, Shqipëri

Ansambli i valleve Popullore “E & E“, Vlorë është një grup i ri vallesh, kryesisht me valle çame e të Jugut, ngritur nga dy vëllezërit valltarë, Puen e Eluert Bajrami.

Grupi polifonik “Kaonët”, Shqipëri

Grupi polifonik “Kaonët” është formuar në vitin 1985 me emrin “Të rinjtë e Delvinës“. Më pas ky grup u nda, duke rikrijuar grupin “Kaonët”. Emri e ka prejardhjen nga historia e hershme në të cilën disa treva të Labërisë së sotme quheshin “Kaonia”, meqenëse dhe anëtarët e grupit janë mbledhur nga disa treva të ndryshme. Festivali i parë ku kanë marrë pjesë, ka qenë në vitin 1988. Grupi ka marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore kombëtare, si dhe jashtë vendit tonë. Grupi Kaonët është nga më të njohurit e më aktivët në lëvrimin e polifonisë. Pjesëmarrës në disa festivale të Gjirokastrës dhe në shumë aktivitete në rang vendi.

Grupi Folklorik “Bilbili”, Shqipëri

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare. Grupi folklorik “Bilbili” është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar zhvilluar në Moldavi, në vitin 1995. Në vitin 1996 është pjesëmarrës në Folkloriadën e Parë Botërore, organizuar në Brunssum (Holandë), në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Balltika” në vitin 1999 është titulluar laureat i Festivalit.

Gjithashtu është pjesëmarrës në Festivalin Folklorik “Këngë Jeho”, në Strugë, po në vitin 1999. Në vitin 2002 merr pjesë në Festivalin e Klinës (Kosovë) , ku dhe fiton çmimin e parë në këtë festival.Në Tetor të vitit 2009 është pjesëmarrës në Festivalin e pestë Ndërkombëtar të Izmirit-Turqi. Gjithashtu në takimin e shoqatave kulturore, organizuar në qytetin e Sarandës në vitin 1996, grupi “Bilbili” ka fituar çmimin e parë. Ka nxjerrë në tregun muzikor vendas mbi 20 CD-i, të cilat qarkullojnë, si dhe janë përpunuar e kanë zënë vend në muzikën moderne.

Në festival do të marr pjesë edhe grupi i valleve “ Star Danc Folk”, Vlorë, ndërsa do të ngjitet në skenë për përshëndetje këngëtarja nga Kosova Shkurte Fejza, “Mjeshtre e Madhe”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com