Loading...

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi flet për sigurinë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi sqaroi në një emision televiziv perceptimet e gabuara se të gjitha ushqimet janë me hormone, gjë që rezulton e pavërtetë.

“Ka probleme, por patjetër që shumica e ushqimeve nuk janë me hormone. Një tjetër koncept i gabuar është që ushqimet që çohen jashtë janë më të mira, sepse nuk mund të jetë një serë e cila spërkatet ndryshe për tregun e brendshëm dhe ndryshe për tregun e jashtëm. Kjo nuk ndodh pasi spërkatja bëhet njëlloj”, u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke folur për denoncimet e medies në lidhje me produktet ushqimore me hormone.

“Hormonet vetë nuk janë akoma të vërtetuara shkencërisht nëse janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Nuk ka deri sot një provë shkencore që hormoni është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. E vetmja gjë që është vërtetuar është që deformon produktin nga pamja fizike dhe nga shija. Sot në botë 90% e gjërave që konsumohen janë të modifikuara gjenetikisht. Sot në serat shqiptare meqë përmendët rastin e domateve fitorregullatorët për to janë bletët në 80% të serave shqiptare. Kjo është një metodë moderne dhe 80% e serave shqiptare përdorin bletët si fitorregullator. Kemi probleme, patjetër, dhe jam i gatshëm për bashkëpunim. Të denoncohen rastet dhe të shkojmë tek e keqja”, tha Çuçi.

Duke sqaruar rastin e mishit nga Brazili, po ashtu i denoncuar në një emision investigativ, Çuçi tha se në Europë, sot Shqipëria është i vetmi vend që kontrollon 100% të importeve që vijnë nga Brazili për mishin.

“Shqipëria është i vetmi vend që gjithë mishin që vjen nga Brazili 100% e kontrollon kur është këtu. Vetëm në këto muaj të parë të vitit ne kemi kthyer në vendin e origjinës nga Brazili 180 ton mish, ku kanë hyrë në vendin rreth 300 ngarkesa nga këto janë 15 ngarkesa të kthyera. Në thertoret e licencuara nuk hyn asgjë e pakontrolluar pasi kemi disiplinuar tregun”, tha ai.

“‘Kemi probleme me mënyrën sesi është rregulluar shërbimi veterinar në Shqipëri dhe unë kam marrë nismën që ta ribëjmë komplet nga e para, sepse fragmentimi që ka ndodhur midis pushtetit lokal, klinikave veterinere, ministrisë dhe veterinerëve privat ka krijuar një problem. P.sh sot matrikullimi bëhet në klinika private pra është decentralizuar tek privati. Ky është një problem që do marrë zgjidhje pas kam marrë iniciativën të bëjmë një ligj për ridimensionimin total të shërbimit veterinar, pasi nuk është vetëm çështja e matrikullimit por me veterinarinë fillojnë të gjithë problemet që dalin në tavolinat e konsumatorëve”, përfundoi ministri Çuçi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com