Loading...

Integrimi në BE, Balla: Mirënjohje Kancelares Merkel për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shpreh mirënjohje Gjermanisë dhe Kancelares Anxhela Merkel për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e anëtarësimit në BE.

“Mbështetja gjermane për Shqipërinë, e përllogaritur prej vitit 1988 kur rivendosëm marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike, shkon gjithsej në më shumë se 1 miliard euro, duke e vendosur Gjermaninë si donatori më i rëndësishëm për Shqipërinë”, deklaron Balla.

Ai vë në dukje se “në 30 vite, Gjermania ka mbështetur një numër shumë të madh projektesh në sektorë të shumtë e të ndryshëm, duke arritur suksese të konsiderueshme për zhvillimin e Shqipërisë.

Kushtet e jetesës së popullit shqiptar janë përmirësuar dukshëm, ndër të tjera edhe falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer, duke kontribuar që Shqipëria të afrohet më shumë me Bashkimin Europian”.

Balla shton më tej se “rreth 1 milionë banorë në zonat urbane të Shqipërisë konsumojnë tashmë ujë të pastër dhe më cilësor, falë investimeve të Bashkëpunimi Gjerman në sektorin e ujit që kapin shifrën e 392 milionë eurove. Ndërsa 332 milionë Euro të tjera janë investuar në energji dhe për eficencën e energjisë.

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi i dha fund ndërprerjeve të energjisë në vend. Kurse rindërtimi i godinës së Qytetit Studenti nr. 2 në Tiranë sipas parimit të eficencës së energjisë ka përmirësuar kushtet e jetesës për 1.200 studentë”.

Në sektorin e Zhvillimit Ekonomik, thekson Balla, prej 1988-s janë investuar 171.6 milionë Euro. Mbi 7.200 fermerë janë mbështetur me grante, kredi dhe garanci krediti; 10.000 të rinjve u është ofruar Arsim Profesional dhe trajnime ndërsa rreth 200.600 biznese përballen me më pak procedura burokratike.

Më tej, Balla shton se për mjedisin, konkretisht për sektorët e ruajtjes së biodiversitetit dhe menaxhimit të mbetjeve, Bashkëpunimi Gjerman ka investuar rreth 47.9 milionë euro si dhe është aktive në mbrojtjen e klimës. Një tjetër fushë është ajo e konsulencës mbi mundësitë ligjore të emigrimit drejt Gjermanisë si dhe të mbështetjes së integrimit të personave të rikthyer.

“Në gjashtë vitet e fundit marrëdhëniet kanë hyrë në një fazë të re edhe më intensive bashkëpunimi qoftë në planin politik, qoftë ekonomik. Ka një rritje të konsiderueshme të prezencës së kompanive private gjermane, trend i cili duhet të përforcohet edhe më shumë. Javën e shkuar mori udhë ndërtimi i një prej hoteleve me pesë yje në Shqipëri, investim i Grupit bavarez Lindner me brandin prestigjoz MK Hotel”, përfundon kreu I grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com