Loading...

Vlorë – Investime për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime

Furnizimi i qytetit të Vlorës me ujë të pijshëm, si dhe investimet në rrjetin e kanalizimeve ishin në fokus të një takimi të zgjeruar në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime.

Drejtori Dorian Xhelili, priti në zyrën e tij një delegacion me përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Ambasadës zvicerane, Delegacioni i BE, si dhe Agjensisë së Ujësjellës Kanalizimeve. Puna për këto investime do të fillojë me studimin e fizibilitetit.

Pjesa më e madhe e fondeve do të fokusohen në furnizimin me ujë të qytetit të Vlorës, ndërsa investime do të ketë edhe në kanalizime.

Pas diskutimeve të gjata të zhvilluara në këtë takim, u tha se vizita e radhës në Vlorë e financuesve dhe projektuesve të këtyre projekteve do të jetë në muajin shtator, kohë kur do të vlerësohet programi dhe do të merren mendimet përfundimtare.

Më pas do të vazhdohet me projektin e zbatimit dhe me tenderimin. Drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili, e vlerësoi shumë të rëndësishëm këtë takim.

“Takimi është shumë i rëndësishëm dhe i vlefshëm për ndërmarrjen tonë, por edhe për qytetin e Vlorës. Ky takim është në vazhdim të vëmendjes së shtuar që ka për qytetin tonë, Qeveria shqiptare dhe kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, për pjesën e furnizimit me ujë por edhe për trajtimin e ujërave të zeza. Janë prioritete jo vetëm të punës sonë por edhe të bashkëpunëtorëve tanë. Do të vijojmë me zbatimin e pjesës së fizibilitetit dhe më pas do të kemi investime konkrete për një shërbim sa më të mirë ndaj qytetarëve në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe për trajtimin e ujërave të ndotura”, u shpreh Xhelili. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com