“Vetëm me specialistë të aftë, guxim profesional, dashuri për vendin dhe me një vullnet të hekurt mund t’i bashkohemi familjes europiane”.
Studentja e ekselencës, Jonida Gurra përshëndeti në emër të studentëve të ekselencës eventin “Në nisje të Shkollës Bazë të Policisë dhe kursit për oficerë të Policisë Kriminale”.
Gurra shprehu mirënjohje dhe falenderim për të gjithë ata shtetarë që krijuan këtë mundësi për studentët e ekselencës.
Kjo, tha Gurra, “është një ndër nismat e para që është i është atribuuar të rinjve të kësaj kategorie.
Ka gati 3 dekada që Policia rritet dhe zhvillohet, por kjo mundësi sot po ndodh për herë të parë.
“Është me të vërtetë përgjegjësi e madhe të jesh pjesë e Policisë së Shtetit, sakrificë, përkushtim, angazhim i madh, por realisht çka mbart admirim të madh këto ditë është pikërisht frymëzimi i shumë të rinjve për të pasur ambicie dhe për të arritur rezultate të larta. Të kenë mundësi të fitojnë të drejtën për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit”, tha Gurra.
“Risia qëndron në përgatitjen e një formati profesionistësh të cilët do të ofrojnë një standard të ri në luftën kundër krimit të organizuar falë aftësive me gjuhët e huaja dhe raportet e tyre me teknologjinë e informacionit duke rritur dukshëm cilësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë”, nënvizoi ajo.
“Shpresojmë që në vetëdijen tonë të përqafojmë shpresën për të dhënë kontributin shumë të nevojshëm dhe të merituar për vendin tonë. Mos të endemi dhe përmbushim ambiciet tona larg prej këtij vendi. Të vlerësojmë mundësitë e dhëna të punojmë fort për to. Vetëm me specialistë të aftë, guxim profesional, dashuri për vendin dhe me një vullnet të hekurt mund t’i bashkohemi familjes europiane”, theksoi studentja e ekselencës, Jonida Gurra.atsh