Loading...

Fund xhunglës së policive private në ruajtjen e objekteve

“Me reformën në Policinë e Shtetit dhe me krijimin e një strukture të re shërbimi në formën e një ndërmarrje që ofron ruajtjen e objekteve, do të krijohet mundësia për një tranzicion të butë për oficerët më të moshuar”.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar për nisjen e shkollës bazë të Policisë dhe kursit për oficerë të Policisë Kriminale.

Policia e Shtetit, tha Rama, është në një fazë të rëndësishme të ndërmjetme mes Policisë që kishim, një policie të braktisur e të tradhtuar që sipas raporteve të partnerëve tanë ishte policia më e keqpaguar, më e moshuar dhe më e pashkolluar në pikëpamje të mesatares rajonale, me atë që është sot.

“Sot ne e kemi përmbushur objektivin e vendosur nga një raport i mirëdetajuar i bërë bashkë me partnerët për nivelet e pagës, që edhe pse ende nuk janë të kënaqshme do të rriten në vijim. Kemi filluar të adresojmë problemin e moshës dhe shkollimit, por përmbushja e vakumit nuk është çështje dëshire por edhe durimi”, tha Rama.

Ne do të marrim sa më shumë policë të rinj, tha Kryeministri duke shtuar se nga ana tjetër do të krijohet mundësia për një tranzicion të butë për oficerët më të moshuar, në mënyrë që ata të kenë një pagë dhe të japin një kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle policish private në ruajtjen e objekteve.

“Këto polici private janë janë shembëlltyra e shkeljes së të drejtave të punonjësve, si dhe në drejtim të thithjes së fondeve publike për arsye të nevojave që kanë institucionet dhe objektet e ndryshme për të pasur mbrojtje dhe shpeshherë nuk e ofrojnë atë shërbim”, tha Rama.

Përmes një ndërmarrje të tillë në Policinë e Shtetit, sipas Kryeministrit, do të krijohet një kompani moderne që siguron që ata efektivë që shkojnë në një moshë të caktuar të vazhdojnë të shërbejnë dhe nga ana tjetër të kemi një qasje të integruar dhe shumë të shëndetshme për ruajtjen e objekteve. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com