“Kush guxon të godasë institucionet, të dëmtojë demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit do të marrë ndëshkimin që meriton”.
Kështu iu drejtua sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përfaqësuesve të opozitës. “Mos guxoni të bllokoni rrugën europiane të Shqipërisë. Përballja me drejtësinë nuk ju shpëton pavarësisht se çfarë skenarësh mund të keni”, tha Balla.
Bashkë me ministrin e Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi dhe deputetin, Niko Peleshi, Balla zhvilloi disa takime me Asambletë e zgjeruara të PS-së në qytetet Berat, Kuçovë, Poliçan dhe Urën Vajgurore.
Në fjalën e tij, Balla tha se në betejën elektorale të 30 qershorit, PS do jetë fituese në Berat dhe pushteti lokal do të fitohet nga socialistët”.
“Duam t’ja kthejmë Bashkinë e Beratit, socialistëve. Duam ta kthejmë Bashkinë e Beratit në drejtimin e duhur. Jemi sot para socialistëve të Beratit për t’ju thënë se ne nuk kemi në plan të tërhiqemi. Ne nuk kemi në plan të ndajmë përsëri qeverinë me Lulin se Luli nuk fiton dot zgjedhjet! Kjo është e paimagjinueshme”, tha Balla, duke shprehur bindjen se “nga sot e deri në 2021 dhe pas 2021-isht ne do jemi në qeveri kurse Luli në Hollandë”.
“Duhet të bëjmë gjithçka e sa të mundemi me çfarë kemi mundësi t’u përgjigjemi halleve të njerëzve. Ajo që patë në 16 shkurt ishte një akt i turpshëm, është një akt që e ka dënuar e gjithë bota demokratike nga SHBA tek BE, tek Gjermania në mënyrë të veçantë si motor i Europës. Ngjarje të tilla do mundohen t’i përsërisin sa herë të kemi Kuvend, sa herë ne të marrim vendime të rëndësishme që lidhen me çuarjen përpara të reformës në drejtës”, tha Balla./atsh