Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike apo lëndë plasëse, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, pas një hetimi me metoda speciale, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zaranika”, ku u arrestua në flagrancë shtetasi A.R.
Policia jep detaje e operacionit, ku bëri të mundur sekuestrimin e një mine me telekomandë.
“Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në qytetin e Elbasanit i kanë gjetur këtij shtetasi 1 minë me telekomandë, si dhe rreth 7 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shprehet Policia e Shtetit. /atsh