Udhëtimi në rrugën e famshme “Egnatia” nuk është i ri.
Disa historianë me emër kanë udhëtuar në gjurmët e saj me qëllim identifikimin, por më së shumti për të shkruar mbi ngjarjet historike që kanë ndodhur në këtë rrugë antike.
Drejtori i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare ka shpërndarë një foto të një oficeri amerikan i cili ka udhëtuar në gjurmët e Via Egnatia rreth 100 vite më parë.
“Kjo foto e një oficeri amerikan 100 vite të shkuara në gjurmët e Via Egnatias tregon tërheqjen e madhe që ka kjo udhë historike për të gjithë udhëtarët e lexuar që kanë shkelur këtë vend. Një foto e rrallë 100 vite të shkuara bërë nga Misioni Amerikan në Shqipëri i ardhur pës Luftës së Parë”, shprehet Tare.
Tare thekson se, “100 vite më pas në udhën ku shkeli Cezari, Pompeu, Bruti, Shën Pali, Normanët, Sulltanët e kështu me radhë organizuam të parën ekspeditë shkencore me 40 studentë dhe profesorë të Universitetit të Arkitekturës së Venecias. Në gjurmët edhe të studiuesve shqiptarë që kanë kërkuar mbi këtë udhë historike rizbuluam peizazhet e mrekullueshme dhe gjurmët antike”.
”Shqipëria ka në gjirin e saj një thesar të jashtëzakonshëm si Via Egnatia që fatkeqësisht askush nuk i ka dhënë rëndësi apo t’i kushtojë ndopak vëmendje. Një udhë mbretërore e cila mund të ishte një magnet për turizmin kulturor dhe zhvillimin ekonomik të zonave nga ku ajo kalon”, përfundon Tare. /atsh