Në Departamentin e Administratës Publike nisi sot procesi i përzgjedhjes së vendeve të punës nga studentët ekselentë që aplikuan në platformën “punetembare.al”.
Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, bëri të ditur sot se “163 pozicione brenda shërbimit civil u përzgjodhën nga kandidatët ekselentë të kualifikuar dhe renditur sipas mesatares”.
Sipas saj, procesi i përzgjedhjes së studentëve ekselentë për t’u bërë pjesë e Administratës Publike vijon.
Rreth një mijë studentë ekselentë kanë aplikuar në portalin “Punë të mbarë.al”, për t’u bërë pjesë e Administratës Publike.
Në një intervistë për ATSH-në pak ditë më parë drejtoresha Koçiu tha se “do të ketë edhe një fazë të dytë, ku studentët që përfundojnë studimet me mesatare mbi 9, mund të aplikojnë e të bëhen pjesë e Administratës Publike”.
Faza e dytë do të zhvillohet në muajin gusht, kur të ketë përfunduar viti akademik 2018-2019./atsh