Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se “opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin parlamentit të krimit.
Prej ditës së sotme ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, i cili nuk do të ndalet derisa testimi europian i këtij vendi të bëhet realitet, deri sa ta largojmë kryehajdutin dhe qeverinë e tij kriminale”.
Në fjalën e tij para protestuesve para selisë së PD-së, pas procedurës së dorëzimit të mandatit në kryesinë e Kuvendit theksoi se “në çdo cep të Shqipërisë le të nisim këtë rrugëtim shprese dhe force të pandalshme popullore për rrëzimin e regjimit kriminal, për largimin e Maduros së Ballkanit dhe të Europës dhe për të rikthyer në çdo vatër shqiptare besimin dhe bindjen se e nesërmja po vjen”, nënvizoi Basha.
Kreu i PD-së u shpreh se “Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo do të jetë e ardhmja e familjeve tuaja, fëmijëve tuaj, njerëzve të ndershëm të këtij vendi që duan t’i japin fund padrejtësisë dhe do t’i japin fund padrejtësisë dhe ndëshkueshmërisë”.
“Me vullentin tuaj, me zgjedhje europiane do të kemi një qeveri të popullin, për popullin dhe nga populli. Shqipëria do të ketë një të ardhme, ne derën e Europës do ta hapim. Shqipëria do të ketë një të ardhme, ky është mesazhi i popullit të bashkuar si asnjëherë më parë”, tha Basha./atsh